Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë morën gati 437 miliardë lekë kredi vitin e shkuar. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në raport me 2024-n, huaja e re u zgjerua me 56.9 miliardë lekë apo 15 për qind.

“Arsyeja kryesore siç është shprehur edhe Banka e Shqipërisë lidhet me kreditë hipotekore për blerje të pasurive të paluajtshme. Ky është sektori kryesor ku po investohet. Ka një rritje gati 7-fish në raport me periudhat e mëhershme”, deklaroi Mateo Spaho, ekspert për çështjet ekonomike.
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se për blerje banesash vitin e shkuar, vetëm për blerje apartamentesh u morën nga bankat plotë 48.5 miliardë lekë kredi nga qytetarët. Kjo shumë është sa 32.2 për qind e huasë së re të dhënë për individët vjet..

“E gjithë kjo vjen pasi sektori bankar po e konsideron të sigurt kredi-dhënien për apartamente të reja. Gjithashtu ka ndikuar edhe fakti që sistemi bankar ka sot mjaftueshëm likuiditet”, theksoi Spaho.
Me ritme edhe më të shpejta se qytetarët, për të hapur biznese të reja apo zgjeruar ato ekzistuese, sipërmarrësit morën mbi 296 miliardë lekë kredi vitin e shkuar. Pjesa tjetër e kredisë iu takon institucioneve publike.

“Ritmet e kredisë të re te individët janë domethënëse, por është biznesi ai që mbart peshën kryesore në aktivitetin kreditues. Biznesi, veçanërisht ai i orientuar drejt turizmit është shumë optimist”, vijoi eksperti.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se stoku total i kredisë së dhënë nga bankat deri në fund të vitit të shkuar kapi shifrën e 943.5 miliardë lekëve. Krahasuar me vitin 2024, totali i huave u zgjerua me 107.6 miliardë lekë apo 12.9 për qind.
(A2 Televizion)