Si të ishte një lojë shahu, ku fjala është ushtari, argumenti mbreti... me çdo lëvizje që mund të përcaktojë fatin e përballjes në aktin e fundit të saj... studentët e Drejtësisë në Universitetin “Epoka” në Tiranë dhe atë “Aleksandër Moisiu” në Durrës ndezën motorët e mendjes dhe strategjisë, duke shndërruar çdo diskutim në një betejë, në një përballje se kush e zotëronte më shumë “artin e negocimit”.
Rezart Spahia, nga “Frost & Fire Consulting” shprehet për A2: “Ky është viti i tretë që ne e bëjmë këtë si konkurs. Pjesëmarrja ka qenë edhe më e gjerë. Jemi të kënaqur që këtë vit ka pasur përfaqësues edhe nga universitetet e rretheve. Universiteti i Elbasanit, i Durrësit, Vlorës dhe Gjithë Shkollave të Tiranës”.
Konkursi i organizuar nga studio prestigjioze e konsulencës ligjore “Frost & Fire Consulting”, në bashkëpunim me Shoqatën Europiane të Studentëve të Drejtësisë, me mbështetjen e kompanisë “Gener 2”, vlerësohet si një urë lidhëse me të rinjve studentë dhe tregut të punës.
“Nisma të tilla i angazhojnë të rinjtë që veç pjesës akademike të zhvillojë edhe aftësi të tjera. Konkursi negociues është një prej tyre.” Finalistët nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit dhe Universiteti “Epoka” garuan për vendin e parë.
Ti ndihesh më gati për t’u përballur me tregun e punës pas kësaj eksperience.
Efgjeni Baçi, studente në Universitetin Polis, përgjigjet: “Po! Është më e lehtë. E shikon se si funksionon tregu i punës... se si funksionojnë gjërat jashtë shkollës. Ndihem edhe më shumë gati për të marrë pjesë në eksperienca të ngjashme, të reja”.
Pas orësh diskursi të ndezur, juria shpalli fituesit: Universiteti “Epoka dhe negociatorin më të mirë të edicionit të tretë.
Leonardo Bezh, student në Universitetin Polis, deklaroi: “Në gjykimin tim, normalisht është personale për të gjithë, për çdo jurist qasja. Por në gjykimin tim, të jesh racional, sidomos në procese të tilla negociatore është absolutisht themelore”.
Vendi i dytë për Esmeraldën dhe Esterin nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” la vend edhe për reflektime.
“Deri më sot besoj se ia kemi dalë mirë. Sot do duhej t’i kishim kushtuar më shumë rëndësi disa fakteve të cilave nuk ju kishim kushtuar vëmendjen e duhur”, tha Esmeralda.
“Kurse unë mendoj se do duhej të kishim bashkëpunuar më mirë në grup”, shtoi Esteri.
Duke lëvizur me saktësi e qetësi olimpike, këta studentë treguan se negociimi është më shumë se një proces – është art, është strategji, është e ardhmja e drejtësisë. Me mbështetjen e “Gener 2”, Frost & Fire Consulting dhe ELSA Albania po ndërtohet një gjeneratë juristësh që dinë të bëjnë mat çdo sfidë. (A2 Televizion)