Gjatë periudhës janar–qershor 2025, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 17,1%, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Instituti i Statistikave publikoi sot raportin mbi aksidentet automobilistike për 6-mujorin e parë 2025, sipas të cilit, aksidentet rrugore, në 92,5% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-moshat 25-34 vjeç, duke zënë 27,1% të numrit të aksidenteve gjithsej.
Në muajin qershor 2025, numërohen 107 aksidente rrugore, nga të cilat 140 persona janë të aksidentuar (të vrarë ose të plagosur). Ndërkohë që për këtë muaj, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së hënë me 19,6%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së martë me 6,5%.
Sipas INSTAT, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë harkut kohor 19:00 – 24:00, duke zënë 22,4% të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej. (A2 Televizion)