Banka e Shqipërisë ka blerë rreth 932 milionë euro vjet nga tregu valutor me qëllim stabilizimin e monedhës evropiane dhe rritjen e rezervës valutore. Megjithëse shifra e blerjeve ishte në rekord historik, përsëri ka rezultuar e pasuksesshme për të stabilizuar kursin, pasi monedha evropiane vijojë të zhvlerësohet.
Me qëllim frenimin e tatëpjetës së valutës europiane si pasojë e “superlekut”, Banka e Shqipërisë u detyrua të tërheqë nga tregu i këmbimit mbi 932 milionë euro vitin e shkuar. Rreth 284 milionë euro u blenë për të zgjeruar rezervën valutore, ndërsa pjesa tjetër për të sjellë pak “qetësi” në kursin e këmbimit.
Megjithatë “superleku” vijoi revanshin”.
“Qëllimi i Bankës së Shqipërisë me anë të ndërhyrjeve në tregun valutor nuk është të frenojë rritjen apo uljen e euros, por frenimin e zhvlerësimit apo vlerësimit me ritme jo-natyrale” tha Dritan Vakaj, kreu i Shoqatës së Këmbimit Valutor...
“Kursi është djallëzor dhe i paparashikueshëm”... kështu u shpreh në verën e vitit 2024 guvernatori Gent Sejko teksa fliste në Kuvend. E pikërisht kështu rezultoi edhe vitin e shkuar, teksa Banka Qendrore u detyrua të tërheqë 3-fish më tepër valutë nga sa ishte planifikuar.
“Banka e Shqipërisë i ka relativisht të kufizuara mundësitë për të ndërhyrë në tregun e këmbimit valutor”, u shpreh Dritan Vakaj, kreu i Shoqatës së Këmbimit Valutor.
Banka e Shqipërisë planifikon të tërheqë së paku 270 milionë euro nga tregu valutor këtë vit. Në bazë të sasisë së monedhës europiane që do të futet në vend, blerjet mund të rriten deri në 350 milionë euro.
Ky është niveli më i lartë ndonjëherë i planifikimeve që Banka Qendrore bën për të ndërhyrë në tregun valutor. Po a do mund të frenohet rënia më tej e euros?
“Ky lloj ekuilibri në kuotën e rreth 100 euros besojmë se do të zgjasë. Sigurisht nuk flasim dot për forcim të euros, por do të mbesim në këto nivele”, tha Dritan Vakaj, kreu i Shoqatës së Këmbimit Valutor.
Sipas kalendarit të Bankës Qendrore, ndërhyrjet në tregun valutor pritet të nisin në 25 shkurt për të vijuar në 13 dhe 25 mars. Blerjet planifikohet të përshpejtohen me 9 ankande vetëm në muajt qershor, korrik dhe gusht. Me ardhjen e vjeshtës , Banka planifikon të realizojë nga një ndërhyrje për secilin muaj, për të përmbyllur blerjet në 5 dhe 19 dhjetor 2025. (A2 Televizion)