Eksportet shqiptare e kanë nisur edhe këtë vit në tatëpjetë. Të dhënat nga instituti i Statistikave tregojnë se muajin e shkuar, kompanitë shqiptare çuan dhe shitën në tregjet e huaja produkte me vlerë vetëm 27 miliardë lekë nga 28 miliardë në janar 2025.
Rënia përllogaritet në 1 miliardë lekë apo 4.5 për qind, shkruan A2.
Alban Zusi, Shoqata e Eksportuesve Shqiptarë, shprehet: “Duhet se s’bën që qeveria të krijoj një komitet urgjence me një plan masash urgjente për tu kthyer në normalitet e cila i ka të gjithë treguesit e mundshëm të një krize ekonomike”.
Zef Preçi, ekspert për ekonominë, thekson: “Efektet nga “superleku” po vijojnë duke mbajtur në krizë eksportet shqiptare. Duhet kohë e gjatë për të dalë nga kjo situate”.
Rënia e eksporteve gjatë muajit përfshiu thuajse të gjitha kategoritë e produkteve dhe shërbimeve. Eksportet e mineraleve dhe lëndëve djegëse u tkurrën me 2.9 për qind, “fasonët” me 1.8 për qind dhe ushqimet e pijet me 0.3 për qind.
“Është ekstremisht shqetësuese, nuk e kam parë kurrë një grafik ku të gjithë treguesit janë negative”, thotë Zusi.
Ndërsa Zef Preçi deklaroi: “Nga ana tjetër, turizmi nuk po i jep hov prodhimit vendas duke bërë që eksportet e këtyre kategori produktesh të tkurren.”
Në pozicion të njëjtë siç mbyllën 2025-n e nisën edhe këtë vit importet. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se nga mbi 60 miliard lekë në 2025-n, në janarin e këtij viti u blenë nga jashtë mallra me vlerë vetëm 58 miliard lekë. Rënia përllogaritet në 2 miliardë lekë apo 4 për qind.
“Që të themi se kemi më shumë prodhim vendas nuk mundemi paso do të kishim edhe më shumë eksporte. Thjesht tregon se konsumi ka mbetur në vendnumëro”, shprehet Preçi.
“Kjo tregon se turistët e ardhur nuk po i zëvendësojnë dot shqiptarët e larguar nga vendi. Konsumi ndodhet në krizë”, shton Zusi.
Muajin e shkuar Shqipëria eksportoi më shumë produkte drejt Greqisë dhe Gjermanisë. E kundërta ndodhi me Italinë dhe Kosovën. (A2 Televizion)