
Nga Prizreni në Tiranë e Prishtinë, Korçë, Pejë apo Elbasan... Shqipëria dhe Kosova kanë zhvilluar tetë mbledhje ndërqeveritare në më shumë se një dekadë. E fundit e programuar për tu zhvilluar më 14 qershor 2023 në Gjakovë u anulua. Që prej janarit të vitit 2014 kur u realizua takimi i parë në Prizren, numri i marrëveshjeve të nënshkruara mes Shqipërisë dhe Kosovës është 83, shumica e të cilave janë në fushën e tregtisë.
“Edhe pse janë firmosur një numër i madh marrëveshjesh ndërqeveritare dhe kemi pasur një vullnet të qartë për bashkëpunim, realiteti tregon se shumë prej tyre nuk po zbatohet në praktikë. Ka vonesa të dukshme në implementimin e projekteve, dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet politike në të dy vendet, si dhe me marrëdhëniet e tensionuara në nivele udhëheqjeje”, thotë për A2 CNN Lulzim Rafuna, Oda Ekonomike e Kosovës.
Por sot, 12 vite më pas vetëm 37 marrëveshje zbatohen plotësisht apo pjesërisht. Ulje-ngritjet në marrëdhëniet politike veçanërisht mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit janë reflektuar edhe në bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve shqipfolëse.
“Është e qartë që marrëveshjet ekzistojnë, por zbatimi nuk ndjek ritmin e tyre. Duhet një mekanizëm më i fortë monitorimi dhe përfshirje më aktive e të gjitha institucioneve për të siguruar që rezultatet të ndihen në ekonomi dhe treg”, thotë Alber Gajo, ekspert ekonomie, ish-zv/ministër i Integrimit.
Nga të dhënat e institucioneve publike rezulton se deri më tani janë materializuar tërësisht marrëveshjet për heqjen e tarifave Roaming, është kryer pika doganore e Kosovës në Portin e Durrësit, kryerja e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën Morinë-Vërmicë, njohja dypalëshe dhe unifikimi i modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare si dhe njohja reciproke e patentave për drejtuesit e mjeteve. Gjithashtu është realizuar krijimi i bursës shqiptare të energjisë elektrike, është miratuar Fondi Zhvillimor për Luginën e Preshevës, është ngritur Dhoma Ekonomike Shqipëri-Kosovë, Qendra e Përbashkët Trajnuese si dhe janë organizuar shërbime të përbashkëta konsullore.
“Avantazhet janë evidente: kemi të njëjtën gjuhë, kulturë dhe afërsi gjeografike që lehtësojnë çdo bashkëpunim. Megjithatë, sfidat politike dhe perceptimet e ndryshme tregtare shpesh pengojnë përfitimet reale që mund të sjellë ky bashkëpunim”, thotë Rafuna.
“Për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë ekzistuese, duhet të fokusohemi në projekte konkrete, të krijojmë besim mes aktorëve dhe të vendosim objektiva të qarta për çdo marrëveshje të re”, thotë Gajo.
Afërsia gjeografike, gjuha dhe dokumentacioni konsiderohen si avantazhe në bashkëpunimin mes Shqipërisë de Kosovës. Ndërkohë që politika, perceptimi tregtar dhe sjellja konsumatorë vlerësohen si disavantazhe. (A2 Televizion)