Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar. Kjo pasi kompania e vetme e mbetur në garë, “Archirodon” nuk paraqiti ofertë financiare deri më 9 mars që ishte edhe afati i fundit. Tenderi kishte një vlerë të parashikuar prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën portuale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm në këtë garë me një atyre krejtësisht ekonomike për shkak të rritjes së kostove nga kriza. Ofertuesi ka bërë një tërheqje duke u justifikuar me qëllimet ekonomike. Komisioni do të vijojë me procedurat”, tha ministri.
Duke iu referuar deklaratës së mëhershme të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi konfirmoi se aktorë të huaj po sabotojnë projektin në Porto Romano.
“Ka aktorë të ndryshëm që përpiqen ta frenojnë dhe sabotojnë këtë projekt shumë të rëndësishmen, për qëllime të ndryshime. Ne do të ndërtojmë një skenar tjetër që çdo aktor tjetër nuk do të mundet ta frenojë këtë projekt se është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit”, tha ministri, përcjell A2 CNN.
Vendimi për pezullimin vjen pas kërkesës dhe insistimit të vazhdueshëm të SHBA-ve. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me këtë tender.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë përjashtoi përfshirjen e biznesmenëve të mundshëm rus në ndërtimin e portit të ri në Porto Romano teksa pohoi gjithashtu se me gjithë zvarritjet e tenderit se Marina e Durrësit nuk do të preket nga këto zhvillime.
(A2 Televizion)