Shqiptarët sigurojnë automjetet për shkak të detyrimit ligjor, por jo pronën e tyre. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se “sigurimi i mjetit motorik” përbën gati 70 për qind të tregut, ndërsa pronat më pak se 16.4 për qind. Pjesa tjetër i përket sigurimit të jetës, shkruan A2 CNN. Por kjo situatë duhet të ndryshojë vlerësojnë institucionet duke e konsideruar sigurimi ndaj katastrofave natyrore si prioritet kombëtar.
“Shqipëria sipas vlerësimeve të Bankës Botërore mbetet ndër vendet me ekspozimin më të lartë ndaj fatkeqësive natyrore në Evropë, rreth 86% të territorit dhe mbi 88% e popullsisë janë të ekspozuara ndaj këtyre risqeve dhe mësimi që morëm gjatë tërmetit të vitit 2019 ishte se duhet të kujdesemi, me qëllim që të garantojmë se mekanizmat janë në fuqi, mbasi kostoja e tërmetit ishte jashtëzakonisht më e lartë”, tha ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Sipas të dhënave vetëm 5-7% e banesave në Shqipëri janë të siguruara në Shqipëri duke qenë ndër vendet në Europë me përqindjen më të ulët të sigurimit të banesës ndaj fatkeqësive natyrore.
“Sigurimi nuk duhet të konsiderohet thjesht si një produkt tjetër financiar, duhet të konsiderohet si investim, mekanizëm besimi, një premtim, rikuperimi, rimëkëmbjeje, shtyllë qëndrueshmërie. Për të zvogëluar këtë cenueshmëri sistemike na duhet një ndërmarrje më e lartë e sigurimeve, ndërgjegjësim më i gjerë, kanale shpërndarjeje më solide, produkte që qytetarët i kuptojnë, mund t’i besojnë dhe më thelbësorja t’i përballojnë”, tha Adela Xhemali, Drejtore Ekzekutive e AMF.
Pozitiv është fakti se nga viti në vit ka rritje të pronave të siguruara, veçanërisht pas tërmetit të viti 2019. Të dhënat nga AMF tregojnë se vitin e shkuar rezultojnë mbi 2.1 miliardë lekë të paguara nga qytetarët për pasuritë e tyre të patundshme.
“Duhet ta pranojmë se mekanizmat financiarë janë ende të papërgatitur për përballimin e katastrofave dhe mbeten akoma shumë të kufizuar. Në shumë raste, kryesisht vendi mbështetet në rialokimet buxhetore, huamarrja apo ndihma e donatorëve kur ndodhin fatkeqësitë, prandaj forcimi i kulturës së sigurimit dhe zgjerimi i mbulimit ndaj fatkeqësive natyrore mund të konsiderohet një prioritet kombëtar”, tha Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit për EFP.
Ekspertët nënvizojnë se zgjerimi i mbulimit të pronave është thelbësor për rritjen e rezistencës ndaj katastrofave dhe për të forcuar sigurinë financiare të qytetarëve, duke e bërë sigurimin jo thjesht një detyrim, por një pjesë të rëndësishme të menaxhimit të riskut në vend. (A2 Televizion)