Qeveria rriti pagat për bashkitë, në një vendim që pritet të çojë më shumë para në portofolet e punonjësve, por, sipas profesioneve që ushtrojnë, do të paguhen njësoj pavarësisht nëse punojnë në një bashki të madhe apo të vogël.
“Riklasifikuam nivelet e pagave duke ndryshuar skemën e cila i ndante ato sipas madhësive të bashkive, nënivele pagash të unifikuara pavarësisht bashkive, duke i dhënë mundësi një personi që është jurist, financier, ekonomist, punonjës social do të marrë pagesë të ngjashme në të gjitha bashkitë. Rritja e pagave të bashkive në nivele të unifikuara të pagave, unifikojmë mënyrën e llogaritjes së pagave njëlloj sesi llogaritet vjetërsia e punës edhe në administratën shtetërore”, tha ministri Mazniku.
Ministri Arbian Mazniku paralajmëroi se në buxhetin e vitit që vjen do të ketë një formulë të re për grantin që qeveria u ndan bashkive.
“Në buxhetin e ri për 2025 do të ketë një formulë të riaxhustuar por themi se një bashki s’do marri më pak para se një vit më parë.”
Teksa qeveria, tashmë me fytyra të reja ministrash, po niset për pushimet e verës, administrata qendrore mori edhe lajmet e tjera që i ishin premtuar. Bëhet fjalë për fleksibilitetin në punë, por kjo nuk do të thotë që nuk do të plotësohen orët e qëndrimit në zyrë.
“Në bazë të këtij vendimi ndërkohë që kohëzgjatja ditore do të jetë e njëjtë nga e hëna në të premte në 8 orë e 30 minuta dhe të premte 6 orë, punonjësit e administratës mund të zgjedhin ta nisin më herët apo ta nisin më vonë dhe ta përfundojnë më vonë. Duke garantuar që të gjithë punonjësit janë prezent në fasha 9 e 30 15 e 30 dhe 9 e 30 deri në orën 13 të premten”, tha Ardea Pirdeni, ministre e Administratës dhe Antikorrupsionit.
Në seancën plenare që mbylli sesionin parlamentar, u miratuan të tjera ndryshime në Kodin e Punës në mënyrë që punonjësit të kenë lehtësi edhe në kryerjen e pushimeve vjetore. Ato nuk do të llogariten si katër javë kalendarike, por si 22 ditë pune. Ndërkohë leja mund të merret edhe për më pak se 7 ditë. (A2 Televizion)