“16 persona duan të më vrasin”, Durim Bami kërkon të mos ekstradohet në Shqipëri

Nga A2 CNN
29 Tetor 2024, 13:26 | Kronikë

“16 persona duan të më vrasin”, Durim Bami kërkon

Durim Bami frikësohet për jetën e tij, nëse autoritetet në Dubai vendosin që ta rikthejnë në Shqipëri, në lidhje me disa akuza që rëndojnë ndaj tij për krime të ndryshme të rënda.

Mbrojtja e personit shumë të kërkuar në Shqipëri iu ka bërë me dije autoriteteve të Dubait të mos transferohet në Shqipëri, pasi janë të paktën 16 persona, brenda e jashtë burgut, që kërkojnë ta eleminojnë fizikisht, shkruan A2.

Durim Bami është arrestuar sërish brenda pak muajsh në Dubai, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.

Më 15 maj të këtij viti GJKKO i ka caktuar “arrest në burg” për disa vepra penale si "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje", “Grupi i strukturuar kriminal", "Kultivimi i bimëve narkotike", dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal".

Durim Bami doli në bisedat e Sky teksa planifikonte vrasjen e Arben Ndokës, Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit.

Durim Bami u arrestua edhe në muajin qershor të këtij viti, por u la i lirë, pasi Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe. Tashmë pritet të shihet nëse do të arrihet nga Interpol Tirana ekstradimi i tij drejt vendit tonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos