Prokuroria e Posaçme ka dalë me një informacion zyrtar sa i përket kërkesës për të arrestuar shefin e Komisariatit të Policisë Rrugore Roven Zeka, dhe dy oficerëve, Edison Tabaku dhe Sokol Navaku, të akuzuar si të përfshirë në korrupsion pasiv, shkruan A2 CNN. Sipas SPAK, ata i kanë kërkuar 2000 euro një shtetaseje të përfshirë në një aksident me 5 të plagosur në Tiranë, në datën 16 prill, në mënyrë që të mos e arrestonin.
Ngjarja sipas SPAK
Në datën 16 prill 2025, në qytetin e Tiranës ka ndodhur një aksident rrugor, ku dy automjete janë përplasur me njëri tjetrin. Si pasojë e aksidentit, pesë personat që udhëtonin në njërin nga automjetet janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja A.V, bashkëshortja e shtetasit E.V, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, (parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.)
Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj.
Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim E.V, me ndihmën e personave të tjerë. Këtë shumë ai ia kanë dorëzuar njërit prej punonjësve të policisë rrugore – fakt i provuar gjatë hetimit.
Urdhri i ndalimit të shtetasve: E.T, S.N dhe R.Z është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro. (A2 Televizion)