20-vjeçari ndërron jetë në Burgun e Shkodrës, dyshime për vonesë në ndihmën mjekësore dhe krizë në sistemin penitenciar

Nga A2 CNN
25 Janar 2026, 13:55 | Kronikë

20-vjeçari ndërron jetë në Burgun e Shkodrës, dyshime

Në burgun e Shkodrës ka ndërruar jetë 20-vjeçari Nicolae Ionnut Erion Deliver, i lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.

Përmes një njoftimi, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pretendon se Nicolae Ionnut Erion Deliver ishte transportuar me urgjencë drejt spitalit më të arfërt.

Transporti dyshohet se është bërë me vonesë vetëm pasi ishte vënë re gjendja e tij e rënduar shëndetësore, ku fatkeqësisht nuk ka arritur të mbijetojë.

Drejtoria e Burgjeve thotë se ky shtetas ishte arrestuar në tetor të vitit 2024 për ‘vjedhje’ dhe ‘prodhim dhe shitje narkotikësh’, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në vdekjen e këtij shtetasi, nëse ka pasur shenja dhune apo jo.

Kjo ngjarje vjen në një moment kritik për sistemin e burgjeve, i cili prej muajsh është përfshirë nga skandale, denoncime për keqtrajtim, mungesë të shërbimit shëndetësor adekuat, mbipopullim dhe dyshime për abuzime institucionale. Raste të fundit kanë ngritur alarmin për neglizhencë, mungesë mbikëqyrjeje dhe dështim të mekanizmave të përgjegjësisë.

Përballë kësaj situate, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve janë nën presion për të dhënë përgjigje të qarta, jo vetëm për këtë rast, por për një model problematik që duket se po përsëritet.

Ndërkohë, pak muaj më parë, një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua po në burgun e Shkodrës, ku i paraburgosuri Brendon Ronald Saporito, 57 vjeç, u gjet i varur në dhomën e tij nga bashkëvuajtësit, ku vdekja e tij ende mbetet misterioze.

Njoftimi për mediat:

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon opinionin publik se, në datën 25.01.2026, në IEVP Shkodër, ka ndërruar jetë shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Sipas informacionit paraprak, gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, çka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.

Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis).

Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion çdo informacion të mëtejshëm, në përputhje me ligjin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos