
Vrasja e 44-vjeçarit Artan Myrtaj vijon të mbetet pa autorë. 24 orë pas ekzekutimit mafioz të ndodhur në zonën e njohur si “ish-agjencia” në Sarandë, blutë e qarkut të Vlorës nuk kanë asnjë indicie se kush mund të jenë ekzekutorët e Myrtajt.
Pavarësisht se në vendngjarje janë marrë të gjitha provat materiale, pavarësisht edhe se janë sekuestruar kamerat e sigurisë, sërish vrasja është në fazë hetimi. As vizita e drejtuesit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Skënder Hita, nuk ka mjaftuar të zbardhë ngjarjen. Gjithashtu, nuk kanë mjaftuar as kontrollet e ngritura në disa segmente kryesore, veçanërisht atë që lidh Sarandën me Gjirokastrën, nga ku mendohet se janë larguar autorët, shkruan A2.
Përgjatë këtyre 24 orëve, si në vendin e ngjarjes, por edhe në komisariat, sipas informacioneve, policia ka pyetur shumë persona, por as dëshmitë e tyre nuk kanë mjaftuar. Ata kanë qenë dëshmitarë të rastit, kalimtarë në kohën kur ndodhi ngjarja, familjarë të viktimës. Në dëshmitë e tyre nuk kanë dhënë informacione që mund të jenë ndihmesë në zbulimin e autorëve.
Nga kamerat e sigurisë shihet e gjithë dinamika e ngjarjes. Prej pamjeve filmike dallohet Artan Myrtaj që vjen në një prej lokaleve në këtë zonë. Ai shihet duke konsumuar kafe derisa pikas dy persona me skafandër që i vijnë përballë. Mundohet t’i shpëtojë me vrap, duke ecur drejt rrugës “Vangjel Pandi”, por ata e ndjekin dhe godasin drejt tij me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend, në mesin e rrugës. Më pas largohen të qetë.
Blutë e Vlorës besojnë se janë vrasës profesionistë, pasi janë të qetë në ekzekutim dhe e njohin territorin. Ata mendohet se janë larguar drejt periferisë, në dalje të Sarandës, në lidhjen e saj me Gjirokastrën, nga ku humbasin më pas gjurmët dhe nga pamjet filmike të kamerave nuk duken më.
Ndërkohë, kemi të bëjmë me një vrasje të mirëmenduar. Kanë qenë disa persona të përfshirë në të, veç ekzekutorëve. Persona që e ndjekin, shohin lëvizjet e viktimës dhe dinë çdo informacion rreth tij. Mendohet të jetë përgjuar dhe nëpërmjet telefonit.
Pista kryesore e hetimit është ngjarja e ndodhur më Korrik 2025, ku pas një sherri për motive pronësie mbetën të plagosur shtetasit nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lame. Myrtaj ishte arrestuar më 18 Korrik 2025 për përkrahje të autorit të kësaj ngjarjeje. Deri më tani dihet se policia ka pyetur të plagosurit apo personat e lidhur me këtë ngjarje, por nuk ka informacione të mëtejshme, pasi i përkasin hetimit.
Nga ngjarja ka mbetur i plagosur dhe 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, i cili ka marrë një plumb në shpinë dhe është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Për ngjarjen policia vijon hetimet. (A2 Televizion)