
Finalizohet operacioni policor i koduar “Again” nga Komisariati i Policisë Vlorë. Në pranga ka rënë E. K., 33 vjeç, banues në lagjen “Rilindja”, i dënuar më parë për vjedhje, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve në subjekte tregtare në qytet.
Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve, pas punës hetimore dhe gjurmuese, organizuan dhe finalizuan operacionin, duke bërë kapjen dhe ndalimin e 33-vjeçarit për veprën penale “Vjedhja”, shkruan A2 CNN.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se:
Më 29.01.2026, në lagjen “Pavarësia 2”, ai dyshohet se ka vjedhur shuma parash dhe steka cigaresh në një minimarket.
Më 31.01.2026, në lagjen “Isa Boletini”, dyshohet se ka kryer një tjetër vjedhje me të njëjtën mënyrë veprimi.
Policia bën me dije se vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor edhe të rasteve të tjera, të dyshuara se janë kryer nga i njëjti shtetas. (A2 Televizion)