2 qytetarë viktima dhe 7 të plagosur, mes të dëmtuarve edhe një i mitur 12-vjecar i cili i mori makinën babait, ky është bilanci tragjik i aksidenteve nga mbrëmja e së dielës deri në orët e para të mëngjesit të së hënës në vendin tonë. Të gjitha aksidentet ndodhën brenda 10 orëve.
Në Tiranë rreth orës 10 të mbrëmjes të së dielës, një 18-vjeçare që po lëvizte me biçikletën në rrugën e Kavajës te kryqëzimi te “pallati me shigjeta” shpëtoi mrekullisht teksa u përplas nga autobusi I linjës së Astirit. Pamjet u bënë virale në rrjetet sociale, ku duket momenti që autobusi pasi kalon semaforin në limitet e ngjyrës portokalli për t'u bërë e kuqe përpara i del 18-vjeçarja me biçikletë, shkruan A2 CNN. E reja mori dëmtime vetëm në shpatull dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia arrestoi shoferin e autobusit shtetasin Çlirim Shala, 56 vjeç, i cili përplasi edhe dy automjete të parkuara. Ndërkohë u plagosën edhe tre pasagjerë që ndodheshin në autobus.
Ky aksident pak minuta me vonë u pasua me një aksident tjetër të rëndë ku një 12-vjeçar në fshatin Mushqeta të Tiranës kishte marrë makinën e të atit dhe gjatë drejtimit ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga. Si pasojë, u dëmtuan 12-vjeçari dhe pasagjeri në automjet, një 18-vjeçar, të cilët janë në spital, nën kujdesin e mjekëve. Për ngjarjen u procedua në gjendje të lirë babai i 12-vjeçarit.
Një orë më pas një aksident tjetër ndodhi në daljen jugore të Lushnjës. Makina e drejtuar nga Aleksandro Braholli, është përplasur me shtyllën e ndriçimit rrugor. Nga përplasja drejtuesi i mjetit mori plagë të rënda dhe ndodhet në spitalin e Fierit.
Pas dy aksidenteve të rënda fatmirësisht pa viktima, mëngjesi i të hënës nisi tragjik, ku një këmbësore 49 vjeçare u përplas për vdekje nga një automjetet që drejtohej nga një i ri në sheshin “Shqiponja” në kryeqytet. Policia shoqëroi në komisariat drejtuesin e automjetit shtetasin Desar Musa rreth 30 vjeç.
Bilanci tragjik u mbyll me një aksident me vdekje në aksin Roskovec-Berat, pranë fshatit Strum. Një automjet përplasi për vdekje 50-vjeçarin Gëzim Xhoka, i cili po udhëtonte me biçikletë. Drejtuesi i automjetit Jamarbër Torro u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, policia rrugore dhe autoritetet përgjegjëse duket se ende nuk po reagojnë dhe nuk po marrin masa për situatën alarmante të rritjes së numrit të aksidenteve me humbje jete. (A2 Televizion)