
Shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ato të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një punonjësi të administratës publike, se ishte shantazhuar nga administratori i një portali, finalizuan operacionin e koduar “Portali 1”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap në zyrën e subjektit, në Tiranë, menjëherë pasi mori 5000 euro nga i dëmtuari, dhe u vu në pranga shtetasi E. L., 37 vjeç.
Ai dyshohet se nëpërmjet shantazhit, i ka marrë punonjësit të administratës publike, shumën e eurove, për të fshirë nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, në kohë të ndryshme.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”. (A2 Televizion)