58-vjeçari grabit 9,5 mln në bankë në Tiranë, kapet nga policia, qëlloi me armë në dysheme

Nga Igli Çelmeta
12 Shkurt 2026, 16:02 | Kronikë

58-vjeçari Bardhyl Fusha tentoi të grabisë një bankë të nivelit të dytë këtë të enjte në kryeqytet. I armatosur me kallashnikov, pasi u fut në bankë 58-vjeçari qëlloi në dysheme, mori paratë te arka, por u arrestua nga policia sapo doli nga banka.

Ngjarja ndodhi pranë rrugës “Muhedin Llagami” në zonën e njohur si ish parku. 58-vjeçari nuk është një grabitës profesionist sipas policisë dhe ka vepruar i vetëm për ta kryer grabitjen dhe i pamaskuar, shkruan A2 CNN. Autori ka shkaktuar panik dhe frikë te punonjësit e bankës pasi në momentin e parë sapo është futur brenda ka qëlluar më armë zjarri tip kallashnikov në dysheme, por fatmirësisht plumbi nuk ka prekur asnjë nga punonjësit e bankës dhe klientët. Policia është lajmëruar në kohë rekord dhe Bardhyl Fusha u arrestua në flagrancë nga punonjësit e policisë, kur ai po dilte me çantën në krahë, aty ku kishte futur paratë 9,5 milionë lekë të vjetra dhe armët e zjarrit, pasi dyshohet se kishte dy armë zjarri me vete.

58-vjeçari me banim në Tiranë në zonën e juridikut ka deklaruar para grupit hetimor se kishte shumë borxhe për shkak të punës si sipërmarrës në fushën e ndërtimit, prandaj kishte kryer edhe grabitjen. Sipas burimeve policore, nga hetimet paraprake rezulton se 58-vjeçari dyshohet se borxhet i kishte për shkak të bixhozit dhe jo prej punës siç ai ka deklaruar para hetuesve.

Grupi hetimor pritet të marrë në pyetje edhe familjarë të 58-vjeçarit, por edhe punonjës të bankës dhe dëshmitarë okularë për të zbardhur të plotë të gjithë dinamikën e ngjarjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos