9 tenderë 90 mln lekë, SPAK "mësyn" në Universitetin Bujqësor, 5 në pranga

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2025, 19:33 | Kronikë

Një hetim i nisur tre vite të shkuara për stafin e Universitetit Bujqësor në Kamzë ka çuar në pranga me urdhër të SPAK 5 persona, 10 në arrest shtëpie e 9 të tjerë në detyrim paraqitje, mes tyre zëvendësrektorë, pedagogë, drejtorë prokurimesh e specialist IT.

Masë sigurie “arrest në burg” është vendosur për Edmond Tërthorjan, administrator i Universitetit, Altin Murto, drejtor i fondeve publike, Amarildo Lleshi drejtor i prokurimeve publike dhe Mehmet Qoshja, specialist për fondet, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

E njëjta masë është caktuar edhe për Pirro Zogun, drejtues i një subjekti privat I dyshuar për veprën “Falsifikimi i dokumenteve”.

Për 10 persona të tjerë të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” ndërsa për 9 të tjerë mes tyre edhe dy zëvendës rektorët, Ilir Kapajn dhe Romina Koton është vendosur masë më e butë, ajo e detyrimit për paraqitje.

Nga hetimet me metoda speciale si; përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit, janë hetuar nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me  vlerë të prokurimit prej 90.000.000 lekë.

Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik në UBT, shtetasit; Ilir Kapaj dhe Romina Koto me detyrë zëvendësrektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe përgjegjësi i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin kanë kryer veprime në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, Edmond Tërthorja me detyrë Administrator i UBT-së.

Veprimet e kundërligjshme të tyre kanë konsistuar në përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi.

Nga hetimet rezulton po ashtu se shkelje ka pasur edhe pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI. Gjithashtu janë evidentuar raste të zhvillimit të procedurës së prokurimit me operator ekonomik të paracaktuar fitues, për pajisje dhe mallra të tjera, që i janë vënë në dispozicion autoritetit kontraktor, disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos