A2 CNN ka siguruar videon që tregon momentin kur një dron ka kaluar rrethimin dhe ka hyrë brenda perimetrit të burgut të sigurisë së lartë në Peqin.
Drejtoria e Burgjeve sqaroi mëngjesin e sotëm se incidenti me pajisjen fluturuese ndodhi rreth orës 20:37 të mbrëmjes së djeshme. Droni qëndroi për 1 minutë e 20 sekonda mbi burgun e Peqinit dhe u konstatua duke hedhur disa pako, të cilat më pas u zbulua se përmbanin dy aparate celularë të llojit iPhone, 8 fisha për karikimin e telefonave, 380 gramë të dyshuar kanabis sativa, të ndara në doza të vogla nga 0.13-0.15 gramë, si dhe 57.7 gramë kokainë të ndarë në 33 doza, shkruan A2.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se pas konstatimit të dronit janë marrë menjëherë një sërë masash për të rritur sigurinë në burgun e Peqinit, duke përfshirë shtimin e forcave të specializuara për monitorimin e hapësirave të jashtme dhe kontrollin e aktiviteteve të dyshimta.
Masat përfshijnë edje kontrollin e plotë të të gjitha zonave të hapura e të mbyllura të burgut, si dhe analizimin e ngjarjes për përfshirjen e të dënuarve apo të paraburgosurve në të, raporton A2.
“Është parashikuar që të gjithë të burgosurit ose të paraburgosurit që do të dyshohen për përfshirje në ngjarjen e mësipërme do të transferohen menjëherë në institucione të tjera për të parandaluar ndonjë përfshirje të mëtejshme në aktivitetet e paligjshme”, sqaron Drejtoria e Burgjeve.
Incidenti në këtë institucion të vuajtjes së dënimit është i dyti brenda pak ditësh që ndodh në Shqipëri, pasi më 8 shtator u neutralizua nga autoritetet një dron që ishte planifikuar të futej në Burgun e Burrelit nga grupet kriminale, raporton A2. (A2 Televizion)