Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën e “Plepave” në Durrës, ku 4 automjete janë përplasur me njëra-tjetrën.
Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e përplasjes së 4 mjeteve kanë mbetur të lënduar 7 persona, të cilët po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e Durrësit. Nga spitali mësohet se një grua ndodhet në gjendje të rëndë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
"Rreth orës 20:10, në lagjen nr. 13 Durrës, në aksin rrugor Plepa-Kavajë, janë përplasur 4 automjete me drejtues shtetasit A. D., G. L., E. M., dhe E. H.
Si pasojë e përplasjes kanë shkuar për kontroll mjekësor në spitalin rajonal në Durrës, 6 shtetas pa probleme për jetën, ndërsa shtetasja Xh. H., 61 vjeçe është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të përplasjes së automjeteve", njofton policia. (A2 Televizion)