Aksident i rëndë në Korçë, humb jetën një grua

Nga Artin Halili
1 Janar 2025, 22:37 | Kronikë

Një aksident i rëndë me një të vdekur ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Korçë-Bilisht, raporton A2 CNN.

Dy mjete janë përplasur kokë më kokë në afërsi të fshatit Zemblak, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të pasagjeres që udhëtonte në njërin nga mjetet e përfshira në këtë aksident, trupi i së cilës ndodhet akoma brenda mjetit.

Paraprakisht, sipas policisë, njëri nga mjetet ka kryer manovër të gabuar, duke sjellë përplasjen e rëndë me pasojë vdekjen e një pasagjereje.

Burime shtojnë se viktima jetonte dhe punonte në shtetin grek dhe prej disa ditësh ndodhej pranë familjes për festat e fundvitit. Ndërsa ditën e sotme, ajo po kthehej në vendin fqinj.

Nga përplasja ka edhe të plagosur të tjerë, të cilët po marrin ndihmën mjekësore në spitalin rajonal të Korçës.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos