
Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Maliq–Lozhan, në afërsi të fshatit Maliq.
Sipas informacioneve paraprake, bëhet me dije se nga aksidenti ka humbur jetën një person, shkruan A2 CNN.
Po ashtu mësohet se personi që mbeti viktimë ka qenë duke ecur kur u godit nga automjeti me drejtues një punonjës policie.
Shërbimet policore dhe ambulanca kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa po punohet për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e viktimës.
Njoftimi i Policisë:
Maliq / Informacion paraprak-Rreth orës 18:10, në aksin rrugor "Maliq-Lozhan", automjeti me drejtues shtetasin D. Q.,(punonjës policie), ka përplasur shtetasin B. H., rreth 67 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, 67-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor dhe AMP ndodhen në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e aksidentit. (A2 Televizion)