
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka arrestuar sot një shtetas suedez të identifikuar si A.B., i cili ishte në kërkim ndërkombëtar dhe dyshohet për veprimtari të gjerë kriminale, përfshirë pjesëmarrje në grup të organizuar, trafikim të armëve, falsifikim dokumentesh dhe vjedhje identiteti.
Sipas Policisë, i dyshuari ka vepruar si drejtues i një grupi kriminal që merrej me blerjen dhe shitjen e armëve dhe municionit, ndërsa dyshohet se ka falsifikuar dokumente zyrtare me qëllim mashtrimi. Ai është lokalizuar dhe arrestuar më 1 dhjetor, falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe autoriteteve suedeze.
Gjatë bastisjes në vendin ku qëndronte i dyshuari, policia ka sekuestruar mbi 52 mijë euro, dokumente të dyshuara të falsifikuara, disa telefona, pajisje elektronike, një orë Rolex dhe një veturë. Ndërkohë, nga një operacion i mëhershëm në vitin 2023, i lidhur me të njëjtin rast, ishin sekuestruar 20 armë të tipit AK-47, 20 karikatorë, automjete dhe dokumente të tjera të rëndësishme.
A.B. është dërguar në mbajtje 48-orëshe, ndërsa Prokuroria Speciale pritet të kërkojë masën e paraburgimit. Institucionet e hetimit theksuan se mbeten të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të goditur rrjetet transkufitare kriminale./Kosovapress (A2 Televizion)