Një aksident me 3 të plagosur raportohet të ketë ndodhur në aksin rrugor Kapshticë - Bilisht.
Sipas burimeve për A2 CNN, bëhet me dije se një mjet ka dalë nga rruga e për pasojë është përmbysur në një kanal anës rrugës kryesore.
Mjeti ka qenë me targa greke dhe brenda tij kanë qenë duke udhëtuar 3 persona nga e njëjta familje, të cilët kanë ngelur të plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë së qarkullimit rrugor, drejtuesi i mjetit ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara duke bërë të pamundur mbajtjen nën kontroll të mjetit në kthesën e fortë vetëm dy kilometra larg nga qyteti i Bilishtit.
Ndërkohë Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Kujtojmë se në këtë vend ka patur edhe aksidente të tjera, kjo sepse mungon sinjalistika e duhur për kthesa të tilla të forta.
(A2 Televizion)