Një automjet me targa greke ka rrëshqitur dhe është përplasur me barrierat mbrojtëse të rrugës në aksin nacional Pogradec-Qafë Thanë.
Shkak i aksidentit sipas drejtuesit të mjetit dyshohet të ketë qenë prania e vajit në rrugë, e cila ka bërë që makina të rrëshqasë e më pas të rrotullohet disa herë në rrugë, duke përfunduar në anë të saj.
Në automjet kanë qenë duke udhëtuar 4 anëtarë të një familje, të cilët fatmirësisht kanë shpëtuar vetëm me disa dëmtime të lehta.
Policia pritet të niset drejt vendit të ngjarjes për zbardhjen e rrethanave.
Vetëm dy ditë më parë po në këtë aks rrugor pranë fshatit Udënisht u përplasën 3 mjete, ku mbetën të plagosur dy turistë anglezë.
Shpesh herë drejtuesit e automjeteve ankohen se hedhja e vajit në rrugën nacionale Pogradec-Qafë Thanë bëhet qëllimisht për të provokuar aksidente. (A2 Televizion)