Agjencia e Mbikëqyrjes Policore k arrestuar në flafgrancë dy punonjës policie ndërsa një tjetër është pezulluar nga detyra. Bëhet fjalë për 3 raste abuzimi në Korçë, Elbasan dhe Tiranë. Në Korçë, është arrestuar Shef i Zyrës së Inspektim-Parandalimit në MZSH, pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe u largua nga vendi i një aksidenti rrugor. Testi i alkoolit rezultoi 1.07 mg/l.
Në Elbasan është pezulluar nga detyra inspektori B.T., 54 vjeç, i dyshuar për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar drejtues mjetesh që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Ndërsa në Tiranë, është arrestuar inspektori B.M., 24 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme, i akuzuar për përndjekje dhe ushtrim dhune ndaj ish-partneres së tij.
Korçë
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka arrestuar në flagrancë shtetasin A. H., 57 vjeç, me detyrë Shef i Zyrës së Inspektim-Parandalimit, në Drejtorinë e Shërbimit të MZSH-së në Bashkinë Korçë, i dyshuar për “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Arrestimi i tij u krye pasi duke drejtuar automjetin Volksëagen Pasat në unazën e qytetit të Korçës, ai është përplasur me mjetin Mercedes Benz që drejtohej nga shtetasi J. S. dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Nga aksidenti ka patur vetëm dëme materiale.
Pas testimit të bërë me aparatin Drager ai rezultoi mbi normën e lejuar, në masën 1.07 mg/l.
Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Elbasan
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues "Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik" ndaj punonjësit të policisë Inspektor B. T., 54 vjeç, me detyrë Trup Shërbimi pranë Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Shpërdorimi i detyrës".
Masa e sigurisë u caktua në kuadër të procedimit penal të vitit 2024, ku nga veprimet hetimore të thelluara nën drejtimin e Prokurorisë u bë e mundur grumbullimi i provave dhe fakteve që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se punonjësi i policisë B. T. ka favorizuar drejtues të ndryshëm automjetesh, të cilët kryenin shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor,
Tiranë
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor B. M., 24 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Përndjekja" dhe "Dëmtime të tjera me dashje".
Arrestimi i tij u krye pas kallëzimit të shtetases M.H., 27 vjeçe, e cila ka deklaruar se B. M., ish i dashuri i saj, më datë 25.05.2025 ka ushtruar dhunë fizike dhe e ka përndjekur vazhdimisht duke i shkaktuar pasiguri në jetën e saj.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
(A2 Televizion)