Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur ditën e sotme të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO-së, me disa ndryshime, për ish-kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj dhe 5 persona të tjerë, të cilët akuzohen për çështjen e tjetërsimit të pronave.
Apeli ka vendosur të dënojë me 4 vite burg ish-kryebashkiakun, nga të cilat ai do të kryejë vetëm 2 vite e 8 muaj, në bazë të gjykimit të shkurtuar.
Më poshtë është edhe vendimi i Apelit të GJKKO-së për dënimet e personave të tjerë të përfshirë në çështjen e tjetërsimit të pronave, shkruan A2 CNN.
Njoftimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Florjan Kalaja (anëtar), më datë 23.12.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 45 akti, datë 23.12.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe mbi ankimet e ankuesve/të pandehurve F.F. dhe Shoqëria “***” sh.p.k., kundër vendimit nr. 13, datë 01.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 13 datë 01.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë ndryshim:
1-Deklarimin fajtor të të pandehurit F.F. për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.
Në bazë të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimisht të të pandehurit F.F. me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
2-Deklarimin fajtor të të pandehurit B.C. për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
Në bazë të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimisht të të pandehurit B.C. me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
Në bazë të nenit 35/1 të Kodit Penal caktimin për të pandehurin B.C. të dënimit plotësues, heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 5 (pesë) vjet.
3-Deklarimin fajtore të të pandehurës J.M. për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 2 (dy) vjet burgim.
Në bazë të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale dënimin përfundimisht të të pandehurës J.M. me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurën J.M. dhe vënia në provë për një afat prej 5 (pesë) vjet, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
Urdhërohet e pandehura J.M. që të mbajë kontakte me shërbimin e provës Zyra Vendore Lezhë.
Në bazë të nenit 35/1 të Kodit Penal caktimin për të pandehurën J.M. të dënimit plotësues, heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 5 (pesë) vjet.
Mospranimin e ankimit të ankuesit shoqëria *** sh.p.k ndaj vendimit nr. 13 datë 01.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Shpenzimet procedurale edhe të gjykimit në apel ju ngarkohen solidarisht të pandehurve apelues. (A2 Televizion)