Apeli shpëton nga burgu 5 ish-zyrtarë të Bashkisë Tiranë

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 11:38 | Kronikë

Apeli shpëton nga burgu 5 ish-zyrtarë të Bashkisë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sot pezullimin e dënimit me burg për pesë ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, të pandehur në një prej fraksioneve të dosjes së njohur si “5D”.

Trupa gjykuese, e kryesuar nga Miliana Muça, me anëtare Saida Dollani dhe Tereza Merkaj, la në fuqi vendimin e shkallës së parë, por ndryshoi mënyrën e ekzekutimit të dënimit.

Për të pandehurit Eglantina, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha dhe Kristo Zhulati Apeli ka lënë në fuqi dënimet me burg të dhëna nga Shkalla e Parë, por ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimeve me burg dhe lënien e tyre në Shërbim Prove.

Ata u shpallën fajtorë për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, shkruan A2 CNN.

Apeli vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vendosjen e tyre në shërbim prove për 12 muaj, me detyrimin për t’u paraqitur pranë Shërbimit të Provës dhe për të mos kryer vepra të tjera penale.

Gjithashtu, të pesëve u është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

Vendimi u shpall në Tiranë dhe ndaj tij lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 15 ditëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos