Grupi që “dogji” ish-ministrin, Gjykata e Posaçme dënon me 15 vite burg Moisi Habilajn

Nga Armand Bajrami
28 Janar 2026, 15:20 | Kronikë

Gjykata e Posaçme përfundoi rigjykimin e Moisi Habilajt dhe 3 të tjerëve, të dyshuar si anëtarë të grupit të “Habilajve”, favorizimi i të cilit dërgoi në qeli 4 vite më parë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Pas një gjykimi në mungesë, Moisi Habilaj u dënua me 15 vite burg. Ai u fajësua për “trafik të narkotikëve”, në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për “grup të strukturuar kriminal”.

Sipas gjykatës, ai është përgjegjës për trafikimin e disa tonëve kanabis drejt Italisë në 4 episode në harkun kohor 2013–2015, si edhe një episod të pestë të mbetur në tentativë në vitin 2017, shkruan A2 CNN. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht Habilaj u dënua me 10 vite heqje lirie.

Për episodet e trafikut të drogës drejt Italisë, gjykata fajësoi edhe Nezar Seitin, i konsideruar si financier i grupit, i cili u dënua me 12 vite burg, dënim që u reduktua në 8 vite. Gjykata pushoi akuzën e “grupit kriminal” ndaj tij, për shkak se ishte dënuar më herët për të njëjtin fakt penal.

Për shkak se ishin gjykuar më herët, Gjykata e Posaçme pushoi akuzat për trafik droge dhe grup kriminal për dy të pandehurit e tjerë të çështjes, Fatmir Minaj dhe Meridian Sulaj.

Grupi i Habilajve u godit nga Prokuroria e Katanias në Itali në vitin 2018, vend ku edhe u gjykuan dhe u caktuan dënime ndaj tyre. E njëjta dosje e përcjellë në Shqipëri u bë shkak për nisjen e një hetimi penal ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri, i cili në shkurt 2022 u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg nga Apeli i Posaçëm për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos