
Gjykata e Durrësit ka vendosur të lirojë nga burgu ish-drejtorin e IEVP-së, Indrit Cerloj, i dyshuar për shpërdorim detyre në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit.
Vendimi është dhënë të hënën nga gjyqtari Xhevdet Lika, i cili ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Cerloj ishte arrestuar rreth tre muaj më parë, pas arratisjes së të paraburgosurit Altin Ndoci, ngjarje e ndodhur më 13 janar në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku ai po trajtohej në Repartin Infektiv. Rasti shkaktoi reagime të forta institucionale dhe ngriti dyshime për shkelje të procedurave të sigurisë.
Pas ngjarjes, jo vetëm Cerloj, por i gjithë zinxhiri komandues i Burgut të Durrësit u shkarkua nga detyra. Ndërkohë, autoritetet arrestuan gjithsej 8 persona, mes tyre edhe kryeinfermierin Aulon Çuko dhe zëvendësshefin e komanduar të Policisë së Burgut, Desdemon Pazaj.
Gjykata vlerësoi se kushtet për vazhdimin e masës së sigurisë në burg për Cerlojin nuk qëndrojnë më, duke vendosur që ai ta vijojë procedimin penal në “arrest shtëpie”.
Ndërkohë, Altin Ndoci vijon të jetë ende në arrati, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive për këtë ngjarje vazhdojnë. (A2 Televizion)