Prej janarit të këtij viti, kur u arratis nga spitali i Durrësit, Policia e Shtetit nuk ka rënë ende në gjurmët e Altin Ndocit, të pandehurit të dosjes “Plumbi i artë” në Gjykatën e Posaçme.
Por, ndonëse në arrati, Ndoci është gjobitur së fundmi me 50 mijë lekë të rinj nga Gjykata e Posaçme. Masa administrative ndaj të pandehurit Ndoci është marrë nga gjyqtarja e posaçme Flojera Davidhi, në përfundim të shqyrtimit të një kërkesë të tij për përjashtim të gjyqtares kryesuese të dosjes “Plumbi i artë”, Engjëllushe Tahiri.
Në vendimin e saj, Davidhi e ka gjetur të pabazuar në ligj e prova kërkesën, shkruan A2.
Në pikën e dytë të vendimit, gjykata ka vendosur gjobitjen e Ndocit në masën 50 mijë lekë. Në një tjetër vendim, e njëjta masë administrative, 50 mijë lekë detyrim, është urdhëruar edhe ndaj të pandehurit tjetër të dosjes “Plumbi i artë”, Henrik Hoxhaj.
Nga ana e tij, Hoxhaj kërkoi përjashtimin nga procesi të gjithë trupës, gjyqtarëve Engjëllushe Tahiri, Aurel Arapi dhe Besmir Stroka. Në të dy rastet, gjyqtarja Davidhi urdhëron Shërbimin Përmbarimor për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, pasi ky i fundit t’ju njoftohet kërkuesve Ndoci dhe Hoxhaj, që po gjykohen në GJKKO për “vrasje” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Prej më se dy muajsh Altin Ndocit gjykohet në mungesë në Gjykatën e Posaçme. Ai vuante masën e “arrestit në burg” prej vitit 2020 në paraburgimin e Durrësit.
Më 16 janar ai ndodhej për një vizitë të specializuar në spitalin rajonal të qytetit, ku mundi t’i shpëtonte punonjësve të policisë dhe të arratiset. (A2 Televizion)