Mit’hat Havari, ish-drejtues i lartë i Policisë, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se në kohën e diktaturës, krimi ordiner ishte i kufizuar.
“Regjimi komunist krimin ordiner e kishte kufizuar. Ndodhnin edhe atëherë ngjarje, por sigurisht ishte çdo gjë nën kontroll. Shteti ishte i rrethuar me tela me gjemba. Populli ishte në shërbim të shtetit, të policisë, jepin informacione me lekë dhe pa lekë dhe normal që krimi do ishte i ulët. Siguria ishte absolute. Kjo është një pjesë, liria është më e shenjtë. Demokracia më e keqe është më e mirë se çdo diktaturë”, tha Havari.
Ai tregoi edhe eksperiencën e tij në Elbasan: “E kapa fort situatën që në fillim, nuk bëra gabime si shumë të tjerë që larguan nga detyra njerëz që kishin punuar në kohën e regjimit. Fundja ishin policë shteti, normal të politizuar, edhe sot ka të politizuar në polici. Dhe kanë ndodhur shumë pak ngjarje. Ka patur papunësi në Elbasan dhe atje ku ka papunësi ka dhe krim sepse njerëzit janë në rrugë, janë të pashkolluar, normal që janë në shërbim të krimit. Ato periudha që kam kaluar atje, dy vjet, ishin një eksperiencë për të hedhur hapat në kohë të vështira”.
Ndërsa në Shkodër, Havari kujton: “Në Shkodër, pas 1997, kur u shkatërrua shteti, ishin bandat. Është përgjegjësi totale e politikës. Policia gjithnjë ka qenë gjithnjë në shënjestër, e goditur nga të katër anët e politikës. Edhe kjo ka patur efektin e vet në këto 30 vjet, janë 300 policë të vrarë nga dora e krimit”.
(A2 Televizion)