Mit’hat Havari ka ngritur akuza ndaj ish-kolegëve e bashkëpunëtorëve të tij, gjatë kohës që shërbeu si drejtor i policisë. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, ai tha se është tradhtuar prej tyre. Duke e krahasuar situatën me Italinë, ai tha se në vendin fqinj, nuk ka pasur raste ku efektivë policie apo zyrtarë të drejtësisë të kenë bashkëpunuar me Cosa Nostra për të tradhtuar kolegët e tyre.
“Në 36 vjet nuk di të jetë arrestuar një polic që të bashkëpunuar me Cosa Nostrën të tradhtonte Xhovani Falkonen një gjykatës, një prokuror nga veriu në Palermo, në jug, sepse atje funksionon morali këtu te ne, Jo. Në qoftë se ju gjeni një rast, një polic në 46 vjet, prokuror, gjykatës italian, të ketë bashkëpunuar me botën e krimit, të ketë tradhtuar shokët e vet siç jam tradhtuar unë që i kam shkruar te libri im “Mes dy epokash”, sy për sy nga zyrtarë të lartë të shtetit, të policisë së shtetit, më kanë lënë në dorë. Po dhe raste të tjera sa të duash që janë ekzekutuar e s'është marrë vesh kurrë. Këtu mbaron historia”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Duke iu referuar deklaratave të fundit nga drejtues të SPAK, Havari tha se pretendimet për lidhje të niveleve të larta të policisë me krimin tregojnë një situatë të rëndë dhe shqetësuese
“Drejtuesi i SPAKut tha që drejtuesit e lartë të policisë së shtetit janë të lidhur me organizatën kriminale. Kaq mbyllet kjo. Ai nuk e përgjithësoi. Po tha se është tradhtuar prej tyre. Do të thotë që gjendja është e rëndë dhe kaq këtu mbaron. Populli jonë ka probleme të thella edhe pse nuk mund të jetë nga vjen policia, nga vjen gjykata, nga vijnë deputetët. Pjesë e këtij populli janë. Ne jemi popull që kemi probleme sigurisht për të kuruar, për të rregulluar”. (A2 Televizion)