Prokuroria e Posaçme ka dhënë detaje të reja lidhur me precedentin e Fierit, ku në pranga përfundoi babai i kandidates së Partisë Social Demokrate, Limonera Bozha.
SPAK bën me dije se 63-vjeçari Pandeli Bozha ka qenë i dyshuar nga policia në Fier për blerje votash dhe është arritur të provohet me metoda proaktive të hetimit se tre ditë para zgjedhjeve ka marrë mbështetje për vajzën e tij nga një person në këmbim të parave.
SPAK bën me dije se babai i kandidates Limonera Bozha në bazë të procedimit të nisur më 8 maj akuzohet për veprat penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”, të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal.
“Procedimi është regjistruar mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ndërsa hetimet janë zhvilluar me metoda proaktive të hetimit. Mbi bazën e hetimeve të kryera, deri tani është krijuar dyshimi i arsyeshëm, se më datë 08.05.2025, rreth orës 10:00, shtetasi me inicialet P.B. është takuar me shtetasin V.L në banesën e këtij të fundit dhe i ka kërkuar mbështetje për vajzën e tij – kandidate për deputete e një subjekti politik në zgjedhjet e 11 Majit 2025. Në këmbim të mbështetjes, shtetasi P.B i ka ofruar shtetasit V.L një shumë parash dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku me ngjyrë portokalli, ishte shënuar emri i kandidates që duhej të votohej”, sqaron SPAK.
Në vijim sqarohet se gjatë kontrolleve të kryera është sekuestruar fleta e ngjashme me atë të votimit dhe një kartmonedhë.
“Nga hetimi rezulton se shtetasi V.L. ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, ndërsa shtetasi P.B. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”. Më datë 12.05.2025, në orën 02:00 është ekzekutuar urdhri i prokurorit të posaçëm për ndalimin e shtetasit, P.B, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë shtetasi, V.L. Hetimet vijojnë për të verifikuar raste të tjera të shitblerjes së votës nga shtetasi, P.B.”, informon SPAK. (A2 Televizion)