Momenti më i pazakontë i këtyre zgjedhjeve është vota nga burgu. Jo se nuk ka ndodhur më parë, por aty nuk votuan vetëm kontigjentë kriminalë. Politikanë dhe ish-zyrtarë të lartë bënë zgjedhjen e tyre.
Nga paraburgimi Jordan Misja në Tiranë, Presidenti i Partisë së Lirisë, i arrestuar prej muajsh me urdhër të SPAK, votoi për veten e tij. Meta nuk u arrit të filmohej nga mediat, por iu dha qytetarëve një audiomesazh.
Në paraburgimin e Durrësit, për kandidatët e këtij qarku votuan kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ish-ministrat Lefter Koka dhe Ilir Beqja, si dhe ish-deputetët socialistë, Alqi Bllako dhe Jurgis Çyrbja. Sipas burimeve, ata nuk pranuan të filmoheshin nga mediat teksa do të hidhnin në kutinë e votimit të zgjedhurit prej tyre.
Ndryshe ndodhi në burgun e Fierit me ish-deputetin demokrat, Ervin Salianjin, ku vuan dënimin për kallëzim të rremë për dosjen Babalja.
Ndërkohë, në Tiranë, Altin Dumani, drejtues i SPAK, ushtroi gjithashtu të drejtën e tij kushtetuese. Ai u shfaq nën shoqërinë e bashkëshortes teksa i drejtohej kutisë së votimit. (A2 Televizion)