Akuzohet se bleu vota për të bijën, vihet në pranga babai i kandidates së PSD në Fier

Nga A2 CNN
12 Maj 2025, 09:30 | Kronikë

Akuzohet se bleu vota për të bijën, vihet në pranga babai i

Është arrestuar me urdhër të SPAK-ut në Fier babai i kandidates së Partisë Social Demokrate në Fier. 63-vjeçari Pandeli Bozha, dyshohet se gjatë një muaji, iu ka dhënë shuma parash, shtetasve të ndryshëm, me qëllim blerjen e votave në favor të kandidates, Limonera Bozha.

Sipas policisë ai akuzohet për "Korrupsion aktiv në zgjedhje".

Ndërkohë kanë nisur hetimet edhe për 27-vjeçarin Stefan Prençi në Lushnjë, i cili në cilësinë e nënkryetarit të PD në Bubullimë ka kanosur në Messenger një 28-vjeçar për dhënien e votës.

Njoftimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier

-Si rezultat i një hetimi njëmujor, në drejtimin e SPAK, dokumentohet një rast i blerjes së votave.

Vihet në pranga autori.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ndalimin e shtetasit P. B., 63 vjeç, banues në fshatin Portëz, për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje".

Nga hetimet dyshohet se gjatë një muaji, ai iu ka dhënë shuma parash, shtetasve të ndryshëm, me qëllim blerjen e votave në favor të kandidates së një subjekti politik.

Materialet procedurale iu referuan SPAK, për veprime të mëtejshme.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. P., 27 vjeç, banues në fshatin Bubullimë, pasi ka kallëzuar shtetasi J. Ç., 28 vjeç, se shtetasi 27-vjeçari, nënkryetar i një subjekti politik në Lushnjë, e ka kanosur në platformën “Messenger”, për dhënien e votës. Materialet procedurale iu referuan SPAK, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrjes në zgjedhje". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos