
Elvis Shkambi, autori i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit më 6 tetor 2025, ka bërë publike një letër të gjatë drejtuar qytetarëve të Shqipërisë, ku shpjegon versionin e tij mbi ngjarjen që tronditi sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik.
Në letrën prej disa faqesh, Shkambi shpreh fillimisht ngushëllimet për familjen e gjyqtarit Kalaja dhe pranon përgjegjësinë e plotë për aktin, duke e cilësuar atë një “reagim të palogjikshëm ndaj një vendimi po aq të palogjikshëm”. Ai thekson se që prej inspektimit të dosjes gjyqësore të xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, për gati 13 vite, sistemi i drejtësisë e kishte kthyer atë, sipas tij, në një “eksperiment njerëzor”, ku vendimet gjyqësore ndryshonin në mënyrë të pashpjegueshme dhe shpesh në kundërshtim me ligjin.
Shkambi pretendon se vendimi i Gjykatës së Apelit, i lënë në fuqi më 6 tetor, synonte “goditjen e titullit të pronësisë” dhe sipas tij binte ndesh me Kodin Civil, me jurisprudencën e Gjykatës së Lartë dhe me vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Për këtë arsye, ai e cilëson aktin e tij si një shpërthim i shkaktuar nga një padrejtësi ekstreme, megjithëse thekson se kjo “nuk e justifikon krimin”.
Shkambi i bën thirrje qytetarëve të mos heqin dorë nga të drejtat e tyre, por të luftojnë brenda kornizave ligjore, duke paralajmëruar se “nga viktimë mund të ktheheni në agresor”. Ai akuzon një pjesë të magjistratëve si “specie mizore” dhe deklaron se do të zbulojë të vërteta të tjera në momentin e duhur.
“Jam më se i sigurt që mijëra qytetarë të këtij vendi kanë qenë subjekt padrejtësish ekstreme në gjykata, sidomos në procese civile. Prandaj edhe po ju inkurajoj që të mos hiqni kurrë dorë nga të drejtat tuaja dhe të mbroni interesat tuaja të ligjshme, por bëjeni këtë gjë në formën e duhur, duke mos e kaluar vijën e kuqe, sepse nga viktime do të ktheheni në agresor e pastaj do të dilni ju fajtor përpara botës.
Në Shqipëri ka plot magjistratë të aftë e të ndershëm, por ka edhe shumë të ligj dhe këta ta fundit nuk kanë fe, as atdhe, as pikë morali njerëzor. Këto specie mizore e përdorin çekiçin e drejtësisë për t’i thyer kokën të drejtit dhe e kanë kthyer peshoren e drejtësisë në një gjë thuajse abstrakte e cila vetëm shihet, as nuk preket, as nuk ndihet”, thotë Shkambi. (A2 Televizion)
