Morën peng dhe dhunuan një 27-vjeçar për 5 mijë euro, arrestohen dy persona, 3 në kërkim

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2025, 15:44 | Kronikë

Morën peng dhe dhunuan një 27-vjeçar për 5 mijë euro,

Policia ka zbuluar dhe identifikuar pesë persona të cilët i hoqën lirinë për disa orë, një 27-vjeçari, dhe e dhunuan fizikisht atë, në një apartament, me qëllim që t’iu jepte 5000 euro. Sipas policisë dy prej tyre janë vënë në pranga ndërsa janë shpallur në kërkim 3 bashkëpunëtorët.  A2 CNN mëson se në pranga përfunduan shtetasit Lusjan Kimza, Asmireld Nimani dhe Agustin Kimza.  

“Menjëherë pas njoftimit se një shtetasi i ishte hequr liria dhe ishte dhunuar, me qëllim dhënien e një shume parash, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit. Në kuadër të operacionit “Kufizimi”, shërbimet e Policisë identifikuan 5 autorët e dyshuar të rastit, u kapën dhe u vunë në pranga 2 prej tyre, shtetasit L. K., 24 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim 3 bashkëpunëtorët, shtetasit K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe. Nga hetimet e kryera me metoda proaktive dyshohet se këta 5 shtetas kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për t’i marrë para, 27-vjeçarit. Shtetasit L. K., M. M. dhe K. N. i kanë hequr lirinë, për disa orë, 27-vjeçarit, dhe e kanë dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti. Pasi 27-vjeçari iu ka dhënë 5000 euro, ata e kanë kanosur sërish atë, që t’iu jepte një shumë tjetër parash”, njofton Policia.

Në pranga ka përfunduar edhe babai i njërit prej të arrestuarve, pasi iu gjet në banesë, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.    

“Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shtetasit A. K, 60 vjeç, (babai i shtetasit L. K.), ku u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjatë kontrollit në dhomën ku qëndronte shtetasi L. K. u gjetën 5000 euro (dyshohet shuma e parave që i ishte marrë 27-vjeçarit)”. 

Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos