“Asnjë nuk e mbron”, arrest me burg për autorin e masakrës së Shkodrës

Nga Senad Nikshiqi
11 Shtator 2025, 15:10 | Kronikë

Ragip Gila do të qëndrojë nën masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve të nisura ndaj tij, pas masakrës së kryer mëngjesin e së hënës së kaluar në qendër të Shkodrës, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë, shkruan A2 CNN.

Përveç akuzave për vrasjet dhe plagosjet në rrethana cilësuese, ndaj Gilës janë ngritur paraprakisht edhe akuzat e armëmbajtjes pa leje, grabitjes së pronës me dhunë dhe dëmtimeve të tjera të kryera me dashje.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës, mësohet se vetë Ragip Gila nuk ka pranuar të japë asnjë deklaratë. Gjykata i mundësoi një avokat kryesisht, pasi as familjarët dhe asnjë nga avokatët nuk kishin marrë përsipër mbrojtjen e tij.

Për momentin nuk dihet ende nëse, në kryerjen e kësaj masakre, ai ka qenë vetë ideatori dhe organizatori apo ka pasur persona të tjerë. Prokuroria ka deklaruar se, përveç Gilës, ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, që dyshohet se e kanë ndihmuar për të siguruar armët dhe mjetin motorik për të kryer vrasjet.

Nga dëshmia e Gilës, pak momente pas arrestimit, ai ka deklaruar se shënjestra e këtij atentati të shumëfishtë ka qenë Erogen Vaso, që mbeti i plagosur. Por, nga të shtënat, humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa mbeti e plagosur, përveç Vasos, edhe kamerierja e lokalit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos