Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, është dënuar me 1 vit burg, me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit, për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim. GJKKO ka refuzuar kërkesën e Memollës për konvertim të masës së sigurisë, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë. Përveç dënimit me 1 vit burg, Edison Memollës i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Ndërsa pas vendimit të dhënë nga Apeli i GJKKO-së, kryebashkiaku i Rrogozhinës këtë hënë do të shkojë në burg për nisur vuajtjen e dënimit, shkruan A2 CNN.
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, u mor i pandehur nga SPAK më 19 tetor 2023, pas një denoncimi ku gjatë fushatës elektorale urdhëronte punonjësit e OSHEE që të mos i prisnin energjisë elektrike një familjeje që nuk kishte mundësi t’i paguante.
Në këmbim, familja do të votonte Memollën për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022. Tashmë, me vendimin e formës së prerë, Memolla duhet të lërë postin e kryebashkiakut pasi do të vuajë dënimin në burg, ndërsa Bashkia e Rrogozhinës pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të pjesshme. (A2 Televizion)