Një vit pas arrestimit, GJKKO kalon për gjykim dosjen e Kryebashkiakut Erion Veliaj

Nga Igli Çelmeta
9 Shkurt 2026, 17:03 | Kronikë

Një vit pas arrestimit me urdhër të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe 28 personave dhe shoqërive të marra të pandehur për të njëjtën dosje. Vendimi për kalimin e dosjes për gjykim është marrë këtë të hënë nga gjyqtarja Etleva Deda, shkruan A2 CNN.

Vetë Veliaj nuk ka qenë i pranishëm në seancë, po ashtu edhe avokatët e çështjes.

Disa prej avokatëve të të pandehurve të tjerë bojkotuan seancën, pasi pretendojnë për shkelje të procesit ligjor gjatë seancave paraprake, e pranishme ka qenë vetëm avokatja kryesisht, Valentina Teodoresku.

Erion Veliaj në të gjitha seancat ka pretenduar se i është mohuar e drejta për mbrojtje efektive, pasi sipas tij ende nuk është njohur me të gjithë dosjen hetimore. Debate pati edhe në seancën e 2 shkurtit mes tij dhe gjyqtares Etleva Deda, pasi kryebashkiaku kërkoi shtyrjen e seancës, por gjyqtarja e cilësoi si të konsumuar fazën e mbrojtjes. Veliaj u largua nga salla dhe kërkoi përjashtimin e gjyqtares, kërkesë që u rrëzua.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim pesë muaj më parë. SPAK e akuzon Veliajn për 5 vepra penale, korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg.

Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Të pandehurit e tjerë në këtë dosje, biznesmenët, akuzohen për korrupsion aktiv, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos