Gazetari Bledian Koka, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, zbuloi se i plagosuri në atentatin ku u vra Gilmando Dani “është rekrutuar në AMP nga ish-ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha”.
“Ervin Hoxha menaxhoi për një vit e gjysmë Ministrinë e Brendshme dhe ky njeri, që doli nga më të votuarit në Tiranë në zgjedhje, kishte në stafin e tij elektoral pikërisht personin që sot po lufton me vdekjen. Këtu lind pyetja: çfarë shteti kemi? Ish-ministri nuk ka dalë që të distancohet nga ky informacion, që ka ndërhyrë për emërimin e të plagosurit. Kemi prej vitesh një sistem ku shteti dhe krimi nuk janë më kundër njëri-tjetrit, por krah njëri-tjetrit”, tha Koka.
“Kur i shton dhe arrogancën e qeverisë në mandatin e katërt... Ky është atentat që nuk bëhet pa 2 milionë euro investim. Nuk janë amatorë, por janë komando. Koha do tregojë që janë vrasës dhe vrasësit nuk prodhohen nga talenti, por dalin nga ushtria. Ata kanë bërë pritë shumë të mirë dhe kanë qëlluar makinën në ecje. Këto gjëra nuk i bëjnë dot amatorët, por njerëzit e sprovuar, të cilët vijnë vetëm nga policia ose ushtria”, shtoi gazetari Bledian Koka. (A2 Televizion)
