
Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, ka përsëritur në një bashkëbisedim me gazetarët synimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit për të kryer vetë arrestime. Kjo, sipas tij, lejohet nga ligji dhe nuk bie ndesh me rolin e Policisë së Shtetit.
“Ligji e lejon BKH të bëjë arrestime. Në platformën time në KLP, e kam thënë që BKH duhet të plotësohet me disa funksione që nuk i ka. Nuk ka pengese ligjore, por pengesë në kapacitete njerëzore. Ne nuk e zëvendësojmë Policinë e Shtetit, por duhet të kemi një strukturë në BKH, që në momente të caktuara të mund të kryejë arrestime, apo veprime të tjera hetimore”, citohet të ketë thënë Braho, përcjell A2 CNN.
Këtë qëndrim drejtuesi i SPAK e ka mbajtur edhe gjatë raportimit të tij në Kuvend disa javë më parë.
Braho u pyet edhe për hetimet për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku. “Është çështje në hetim dhe unë nuk ndaj informacion. Është një nga çështjet më të rëndësishme për shkak të cilësisë së subjektit, por edhe volumit të veprimeve hetimore. Kur të përfundojnë hetimet edhe ne do të jemi të plotë në atë që ka ndodhur dhe nuk ka ndodhur. Kaq mund të ndajmë për momentin”, tha ai.
Sa i përket mundësisë për një kërkesë të re për heqjen e imunitetit në Kuvend, ai shtoi: “SPAK shkoi me kërkesë. Kuvendi mori një vendim. Vendimi nuk ishte ai që kërkuam, por vendimi është detyrues. Hetimet për rastin kanë vijuar, madje kanë ecur më tej. Unë nuk mund të them nëse do të ketë një kërkesë tjetër. Vendimi është i kushtëzuar edhe nga rrethanat e reja, por edhe argumentet në vendimin e Kuvendit”. (A2 Televizion)