Gjykata e Posaçme Antikorrupsion la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” që kishte vendosur dhe më herët në mungesë për Ado Xhika, i njohur edhe me dy emrat e tjerë Ado Cërriku dhe Elkier Cërriku, si dhe për Ervis Dakën dhe Maksim Koçin. Pak ditë më parë ata u ekstraduan nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt vendit tonë, ndërsa cilësohen si miq të të shumëkërkuarit Talo Çela.
Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbylura, mësohet se asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të japë deklarime.
Ervis Daka dhe Maksim Koçi dyshohen nga Spak se kanë kryer veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, armëmbajtje pa leje dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, Daka ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Arjan Spahiut në Belgjikë, ndërsa në tentativën e vrasjes së shtetasit Kei Piu në Elbasan ai kishte rolin e informatorit mbi lëvizjet e objektivit të tyre.
Ndërsa Maksim Koçi, dyshohet për vrasjen e dy personave si dhe për sigurim të kushteve për vrasjen e 2 të tjerëve. Ado Xhika akuzohet për përkrahje të autorit të krimit si pjesë e grupit kriminal, për eliminim e Ardian Çapjas, gjatë sulmit me snajper, të cilit mundi t’i mbijetojë. (A2 Televizion)
Burg për miqtë e Talo Çelës, 3 anëtarët e grupit kriminal kyçin gojën në GJKKO
