Ndjekje si në filma në Valias, 5 të arrestuar për 5 kg kanabis

Nga A2 CNN
21 Qershor 2025, 09:31 | Kronikë

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses një tjetër operacion kundër trafikut të drogës, të koduar “Valiasi”, duke çuar në arrestimin e pesë shtetasve të përfshirë në një rast të tentativës për shitje të lëndëve narkotike.

Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit në zonën e Valiasit, u ndaluan dy automjete të dyshuara.

Në njërin prej tyre, një mjet tip “Audi” me drejtues A. P., 25 vjeç, dhe pasagjer E. P., 26 vjeç, policia gjeti dhe sekuestroi dy pako me 5.3 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis.

Mjeti tjetër, një “Jaguar” që i shoqëronte, drejtohej nga E. B., 23 vjeç, me pasagjerë vëllezërit E. G., 22 vjeç dhe Sh. N. (G.), 20 vjeç. Të tre këta shtetas tentuan të largoheshin në momentin e ndërhyrjes së Policisë, por u neutralizuan menjëherë nga forcat operacionale.

Të pesë personat u vunë në pranga. Shtetasi me inicialet A. P. u arrestua për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa katër të tjerët për “Moskallëzim krimi”.

Gjatë operacionit u sekuestruan 5.3 kg kanabis, 2 automjetet e përdorura në transport dhe 5 aparate celularë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos