
Diskutimi mbi gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut Erion Veliaj, mori 60 minutat e para të seancës së radhës ndaj tij dhe të bashkëpandehurve në Gjykatën e Posaçme.
Përmes një shkrese dërguar gjykatës, Veliaj shprehte vullnetin e tij për të qenë në sallë, por nga ana tjetër pretendonte pamundësi shëndetësore për shkak të dëmtimit në këmbë.
"Për shkak të gjendjes shëndetësore për të cilën më është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale. Kam 10 ditë që kërkoj dokumentacionin mjekësore, por s’më është dhënë asnjë shpjegim. Kjo situatë më pengon të marr pjesë në gjykim dhe kërkoj që seanca gjyqësore të shtyhet dhe gjykata të ndërhyjë për të më vënë në dispozicion dokumentacionin shëndetësor", thuhej në shkresën e Veliajt.
Nga ana e tij, prokurori Altin Dumani tha se SPAK nuk kishte informacion nga mjeku i burgut.
"Ne nuk kemi asnjë informacion mjekësor nga mjeku i burgut të na përshkruajë gjendjen shëndetësore të Veliajt. Nuk kemi asnjë dokument konkret mbi gjendjen e tij që të ishim të qartë".
“Prokuroria është e informuar mbi gjendjen shëndetësore të Veliajt. Këtë thotë edhe i pandehuri, kërkon informacion mbi situatën reale të këmbës dhe grafinë për ta konsultuar me mjek. Nuk i jepet kartela mjekësore. Veliaj e ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë. Drejtoria e burgjeve nuk jep info për një të drejtë bazike. Kjo bëhet pengesë për vijimin e seancës. Ka pasur kontroll mjekësor në IEVP, ka bërë rezonancën dhe grafinë. I është thënë ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale”, tha Ndreca.
Të pyetur nga gjykata për të dhëna zyrtare të gjendjes së të pandehurit Veliaj, prokurori Olsi Dado pretendoi se informacioni i ndarë nga avokati i Veliajt në sallë ishte i njëanshëm.
"Në dijeni të SPAK, Veliaj ka qenë te Spitali Memorial. Mjeku turk ka bërë shënimin që ka nevojë për ndërhyrje, por nuk ka folur për asnjë situatë emergjente. Nuk po e mohoj që mbrojtja ka bërë përpjekjet e veta. Mund të them që gjendja e konstatuar nga Spitali Memorial nuk është ajo e pretenduar nga mbrojtësi", tha Dado.
Më tej, pa e përmendur, Asamblenë e PS, prokurori Dado i tha Gjykatës se "Veliaj ka kërkuar leje për të marrë pjesë fizikisht në evente të caktuara, ku nuk na paraqitur pretendime të tilla".
Për këtë moment, avokati Ndreca saktësoi se pjesëmarrja e kërkuar nga Veliaj kishte qenë alternative, fizikisht ose me videokonferencë.
Nga ana e saj, gjykata i konsideroi të paprovuara pamundësinë e Veliaj për të marrë pjesë në sallë dhe po ashtu pretendimet e mbrojtësit.
Seanca vijoi më tej në mungesë të kryebashkiakut. (A2 Televizion)