
Fitorja ndaj Bjellorusisë nuk i dhuron Shqipërisë vetëm vendin e parë në grupin C1 dhe ngjitjen në Ligën B. Suksesi në Ligën e Kombeve ka një rëndësi të veçantë edhe për objektivin madhor të kuqezinjve: kualifikimin në Euro 2028.
Por çfarë përfiton konkretisht Shqipëria?
Së pari, një avantazh në rrugën drejt Europianit. Renditja përfundimtare në Ligën e Kombeve do të ndikojë në ndarjen e vazove për shortin e eliminatoreve të Euro 2028. Një pozicion sa më i mirë mund t'i japë Shqipërisë një short më të favorshëm dhe kundërshtarë më të përballueshëm.
Për më tepër, vendi i parë në grupin C1 i jep Kombëtares një mundësi të dytë për të shkuar në Europian. Nëse kuqezinjtë nuk arrijnë të kualifikohen drejtpërdrejt nga eliminatoret, fitimi i grupit në Ligën e Kombeve mund t'i sigurojë një vend në fazën play-off, në varësi të renditjes dhe vendeve të disponueshme.
Pra, nuk bëhet fjalë për një biletë të siguruar për në Europian, por për një rrugë shtesë drejt tij.
Ndërkohë, ngjitja në Ligën B është një tjetër përfitim i rëndësishëm, pasi Shqipëria do të përballet në edicionin e ardhshëm me kundërshtarë të një niveli më të lartë.
Një sukses me disa përfitime, por mbi të gjitha një mundësi për ta kthyer këtë moment pozitiv në një tjetër kapitull historik për futbollin shqiptar. (A2 Televizion)