Deklarim i rremë për një apartament, SPAK merr të pandehur deputetin e Partisë Demokratike

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2024, 16:12 | Kronikë

Asllan Dogjani është anëtari i radhës i Kuvendit të Republikës, që merret i pandehur nga SPAK.

Deputeti demokrat akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të “deklarimit të rremë të pasurisë”.

Hetimi ndaj tij ka përfunduar dhe dosja është depozituar në Gjykatën e Posaçme, ku shorti elektronik ka përzgjedhur gjyqtaren Rudina Palloj si kryesuese të seancës paraprake, shkruan A2 CNN.

Sipas SPAK, ligjvënësi Dogjani ka deklaruar në formë të rreme mënyrën se si ka përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128 m2 në Tiranë.

Referuar hetimit, në deklaratën e pasurisë të bërë në ILDKPKI para nisjes së detyës në vitin 2010 Dogjani ka pohuar se apartamentin e ka përfituar nga një shoqëri ndërtimi në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.

Këtë pretendim Dogjani e ka konfirmuar me një kontratë të datës 6 dhjetor 2006, të cilën po ashtu e ka paraqitur edhe në deklarimin pasuror të qershorit 2023 pas zgjedhjes si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Por sipas hetimit të SPAK, deputeti është bërë pronar i apartamentit më 6 shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit ishte gati 122 mijë euro, shumë të cilën e ka likuiduar përmes pagesave cash.

Sipas Prokurorisë së Posaçme dy kontatat mbajnë të njëjtin numër repertori dhe koleksioni dhe në to ndryshon vetëm mënyra e përfitimit të apartamentit.

Kjo tregon, thotë SPAK, se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme.

Për këtë çështje Dogjani ka dhënë tre herë deklarime në SPAK. Në një nga rastet jashtë SPAK ai tha se po i hetohej pasurina pas një kallëzimi të bërë nga një person që e cilësoi si “zaptues” të pronës publike dhe që ai vetë e kishte kallëzuar me herët në prokurori.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos