Dënimi në Greqi, ILD regjistron hetim disiplinor ndaj Irena Gjokës

Nga Armand Bajrami
25 Shkurt 2026, 17:19 | Kronikë

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka regjistruar një hetim disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, në lidhje me dënimin ndaj saj nga drejtësia greke, të padeklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Sipas ILD, ekzistojnë dyshime të arsyeshme që magjistratja Irena Gjoka ka kryer veprime ose mosveprime që përbëjnë shkelje disiplinore.

A2 mëson se hetimi i ILD ka nisur me iniciativë dhe me nismë nga ankuesit Gazment Bardhi dhe Adriana Kalaja. Për llogari të këtij hetimi, ILD do të administrojë dosjen e plotë të Prokurorisë së Përgjithshme, informacione nga KLGJ mbi formularin e dekriminalizimit, si edhe informacion nga SPAK në lidhje me një procedim të nisur pas një kallëzimi në emër të Gjokës.

Në janar, Prokuroria e Përgjithshme i bëri me dije shkresërisht Këshillit të Lartë Gjyqësor se Irena Gjoka rezultonte të ishte e dënuar nga Gjykata e Janinës, Greqi, në vitin 2005 me 3 muaj burg dhe 1500 euro gjobë; se ky dënim ishte konvertuar në gjobë me 4.4 euro dita; se vendimi ishte arkivuar dhe nuk ishte ekzekutuar.

Në mbledhjen e 30 janarit, me shumicë votash, KLGJ vendosi të mos niste verifikim të statusit të gjyqtares Gjoka, me arsyetimin se ky veprim duhet të kryhet nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Pak ditë pas mbledhjes, vetë Gjoka ka pretenduar se nuk ishte njoftuar kurrë, në asnjë formë, se ishte dënuar nga një gjykatë greke. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos