Dërgohet për gjykim dosja ndaj 6 policëve në Elbasan, akuzohen për korrupsion

Nga A2 CNN
2 Qershor 2025, 15:47 | Kronikë

Dërgohet për gjykim dosja ndaj 6 policëve në Elbasan,

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë punonjës policie, të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.

Të pandehurit, me inicialet Xh.S., E.H., A.T., N.Xh., E.K. dhe B.T., përballen me akuzat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 259/1, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Hetimet u zhvilluan në kuadër të procedimit penal nr. 377 të vitit 2024, me përdorimin e metodave proaktive dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), dega Elbasan-Korçë. Sipas Prokurorisë, gjatë hetimeve u dokumentuan disa raste të korrupsionit, ku punonjësit e policisë nuk merrnin masa ndëshkuese ndaj drejtuesve të mjeteve, edhe pse konstatonin shkelje të kodit rrugor, shkruan A2 CNN.

Katër prej të akuzuarve – Xh.S., E.H., A.T. dhe N.Xh. – punonjës të Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, akuzohen për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre të kryer më shumë se një herë. Ndërkohë, dy të tjerët – E.K. dhe B.T. – akuzohen për shpërdorim detyre në bashkëpunim.

Sipas Prokurorisë, këta punonjës policie, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me dashje nuk vendosnin masat administrative ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke dëmtuar interesat financiarë të shtetit dhe interesin publik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos